Grafiti “Kur ushtria kthehet në Kosovë” paraqitet edhe në Zubin Potok

Në Zubin-Potok është ekspozuar një grafit me porosinë: “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”.

Paraprakisht është shfaqur në një ndeshje futbolli nga tifogrupi Cërvena Zvezda i Beogradit e më pas edhe në qytete të Republikës Serbe në Bosnjë-Hercegovinë, në Mal të Zi dhe në Rusi. Kryetari i Zubin-Potokut tregoi se ka edhe grafite të tjera që promovojnë organizata tashmë të shpallura terroriste si “Brigada e Veriut”.

Grafiti “Kur ushtria të kthehet në Kosovë” është ekspozuar të enjten në veriun e banuar kryesisht me serbë, një mur jo shumë larg objektit të Komunës së Zubin-Potokut.

Fillimisht ai u paraqit në ndeshjen futbollistike miqësore mes Cërvena Zvezdës dhe Fiorentinës më 26 korrik. Bashkë me shkrimin cirilik u këndua edhe një këngë që e përmend kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë dhe u paraqit koreografia me tankun ushtarak që promovon luftën.

Promovimin e ushtrisë serbe që ka kryer masakra ndaj shqiptarëve më 1998 e 1999, Policia e Kosovës e ka kategorizuar si nxitje të urrejtjes.

“Raportohet se në hyrje të qytetit, në një mur mbrojtës është hasur një mbishkrim me përmbajtje të nxitjes së urrejtjes. Është njoftuar prokurori kujdestar, përderisa janë duke u kryer hetime intensive”, thuhet në raportin e së enjtes të Policisë.

Lexo edhe:  Vdes në moshë të re arkitektja që punonte në Komunën e Prishtinës