PDK përjashton tre anëtarë që bashkëpunuan me Vetëvendosjen
Partia Demokratike e Kosovës ka njoftuar sot se ka përjashtuar tre anëtarë të saj, të cilët ka thënë se e kanë shkelur vendimin e Këshillit Drejtues për të pezulluar çdo komunikim zyrtar dhe bashkëpunim institucional me kryeministrin Albin Kurti, presidenten Vjosa Osmani dhe Lëvizjen Vetëvendosje.
Anatërët e përjashtuar janë Leonora Morina – Bunjaku, Enver Shabani dhe Bajram Isufi – nga Dega e PDK-së në Gjilan.
“Këshilli Drejtues i PDK-së, në mbledhjen e mbajtur më 3 korrik 2023, kishte marrë vendim për pezullimin e çdo komunikimi zyrtar dhe ndërprerjen e bashkëpunimit institucional me Kryeministrin Albin Kurti dhe Presidenten Vjosa Osmani – Sadriu, si dhe Lëvizjen Vetëvendosje”, thuhet në komunikatën për media të PDK-së.
Tutje, thuhet se zyrtarët e përjashtuar nuk kanë zbatuar qëndrimet partiake dhe vendimin e Këshillit Drejtues të PDK-së edhe pas kërkesës me shkrim të datës 31 korrik 2023, të komunikuar zyrtarisht nga Sekretari i Përgjithshëm i PDK-së, dhe kanë vazhduar të shërbejnë Lëvizjen Vetëvendosje në Komunën e Gjilanit, përkundër prishjes së koalicionit kohë më parë.