Prizrenasi kërcënon nënën me vrasje nëse nuk i jep para, ajo kërkon ndihmën e Policisë
Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë persona të ndryshëm përfundojnë në pranga si të dyshuar për dhunë ndaj familjarëve. Këto raste bëhen edhe më të rënda, kur viktima janë prindërit të cilët përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre.
Një rast i tillë ka ndodhur në një familje në Prizren, ku një person po dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj nënës së tij, pas disa mosmarrëveshjeve që kanë pasur mes vete.
Sinjali mëson se viktima ka kërkuar ndihmën e Policisë, me ç’rast ka deklaruar se 28-vjeçari e kishte kërcënuar me vrasje, në rast se nuk ia jep paratë që i kishte kërkuar dhe më pas ishte larguar nga shtëpia.
Përballë kësaj situate, viktima e ka raportuar rastin në Polici dhe ka kërkuar ndihmë para se të ndodhë diçka më e keqe.
Edhe më shqetësues është fakti se i dyshuari është recidivist i veprave të ndryshme penale dhe i njëjti akoma s’ka rënë në prangat e Policisë.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, kanë nisur hetimet për të siguruar prezencën e të dyshuarit.