Dy persona e rrahin keq një 32-vjeçar në Istog, sherri nisi në rrjete sociale

Përleshjet mes të rinjve jo rrallëherë ndodhin për shkak të zënkave që fillojnë në rrjete sociale dhe eskalojnë në kanosje serioze e rrahje brutale. Për të tilla raste shumë të rinj kanë përfunduar në prangat e Policisë, duke u futur kështu në telashe.

Një rast i tillë ka ndodhur së fundi në Istog, ku dy persona dyshohet se e kanë rrahur keq një tjetër.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se e gjithë ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në shitoren e 32-vjeçarit, ku sipas të cilit dy të dyshuarit kanë shkuar dhe e kanë sulmuar fizikisht.

Viktima ka marrë lëndime trupore dhe ka kërkuar ndihmë mjekësore, teksa në dëshminë e tij dhënë organeve të hetuesisë, ka deklaruar se i gjithë sherri ka nisur në rrjete sociale.

Dy të dyshuarit janë arrestuar dhe janë shoqëruar në stacion policor, ku sipas tyre, konfliktin e ka filluar viktima.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarve t’u caktohet masa e ndalimit policor dhe të njëjtit do të hetohen nën dyshimet për kryerjen e veprave penale ‘Lëndim i lehtë trupor’ dhe ‘Sulm’.

Lexo edhe:  ​Ganimete Musliu vendos emblemën e UÇK-së në foltoren e Kuvendit