Skenderaj: Babai denoncon djalin për dhunë, djali thotë se babai posedon armë – përfundojnë të dy në stacion policor

Një zënkë familjare ka bërë që babë e bir nga Skenderaj të përfundojnë në stacion policor. E gjithë ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e kaluar, kur i moshuari kishte shkuar ta denoncojë djalin e tij për dhunë.

Sinjali mëson se i moshuari kishte deklaruar para hetuesve policorë se djali i tij e ka sulmuar fizikisht duke e kapur për fyti. Për shkak të gjendjes së tij, 76-vjeçari është dërguar në Emergjencën e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Skenderaj.

Djali i tij është shoqëruar në stacion policor, por i njëjti ka mohuar ta ketë sulmuar fizikisht babain e tij. Këtë e ka mbështetur edhe bashkëshortja e tij. Në deklarim e sipër, 36-vjeçari ka thënë se babai i tij posedon armë zjarri.

Njësitet policore janë vënë në lëvizje me ç’rast kanë kryer bastisje në banesën e djalit tjetër, ku kanë gjetur dhe sekuestruar një pushkë dhe municion të cilat ishin në pronësi të të moshuarit.

Me urdhër të prokurorit, ndaj tij është iniciuar rasti ‘Mbajtje në pronësi, kontroll, posedim të paautorizuar të armës’.

Lexo edhe:  Babai me dy djemtë u qëlluan me armë zjarri