Kapen disa të rinj me drogë në Skenderaj, Deçan e Prizren – mërgimtarit ia gjejnë nëntë qese me marihuanë

Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare. Edhe më shqetësues këtë dukuri e bën mungesa e trajtimit preventiv nga institucionet. Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike.

Gjatë ditëve të fundit janë zbuluar disa raste, ku për tri prej tyre, Sinjali sjellë detajet më poshtë.

Një njësi policore që po patrullonte në fshatin Mikushnicë të Skenderajt kanë ndalur për kontroll një veturë me targa gjermane, ku gjatë kontrollit te shoferi kanë gjetur dhe sekuestruar nëntë qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë. 26-vjeçari është shoqëruar në stacion policor ku ndaj tij është iniciuar rasti për veprën penale ‘Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.

Në kuadër të planit operativ ‘Goditja’, Policia ka kryer bastisje në një lokal në rrugën ‘Luan Haradinaj’ në Deçan, ku gjatë kontrollit te kamerieri është gjetur një cigare që dyshohet të jetë e mbështjellë me marihuanë. Cigarja është sekuestruar, ndërsa i riu është shoqëruar në stacion policor. Me urdhër të prokurorit ai do të hetohet në liri për veprën penale ‘Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.

Bastisje u krye edhe në një lokal nate në fshatin Landovicë të Prizrenit, ku po ashtu u kap në flagrancë me drogë një 40-vjeçar. I dyshuari është shoqëruar në stacion policor dhe ndaj tij ka nisur procedurë penale.

Ndryshe, pas ngjarjeve tronditëse në javën e parë të gushtit, ku tre persona mbetën të vrarë nga të shtëna me armë zjarri, e dhjetëra të tjerë u plagosën, Policia ka hartuar dhe ka filluar së zbatuari planin operativ ‘Goditja’. Kjo u bë me qëllim të shtimit të masave të sigurisë dhe operacioni do të shtrihet në gjithë vendin.

Lexo edhe:  Aksident i rëndë në Lupq, ambulanca merr 3 persona

Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.