Dërgohet në paraburgim i dyshuari për sulmin brutal ndaj 25-vjeçarit në Ferizaj

Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit Ilir Ramusholli, i cili dyshohet se në bashkëkryerje me dy persona tjerë kanë sulmuar fizikisht një person, raporton Gazeta Sinjali.

Përmes një komunikate për media, Gjykata njofton se gjyqtari i procedurës paraprake i ka shqiptuar Ramushollit një muaj paraburgim.

Ekziston dyshimi i bazuar, se më datë 30 korrik 2023, në një fshat në Komunë të Ferizajt, i pandehuri në bashkëkryerje me dy të mitur, me qëllim që t`i shkaktojnë lëndime të rënda trupore, e sulmojnë fizikisht të dëmtuarin M.Sh., në atë mënyrë që si rezultat i një mosmarrëveshje që kishin mes vete, sipas të pandehurit i dëmtuari i kishte thënë disa fjalë për të, po sa i pandehuri e takon në rrugë të dëmtuarin, menjëherë i drejtohet me fjalë “Pse ke thënë ishalla I.. nuk del kurrë prej burgu” dhe pasi i dëmtuari mohon një gjë të tillë, i pandehuri e sulmon fizikisht duke e goditur me grusht në syrin e djathë, kurse më pas fillojnë t`a sulmojnë edhe dy të miturit duke e goditur në tërë trupin, me të cilat veprime të dëmtuarit i shkaktojnë lëndime të rënda trupore dhe atë: frakturë në hundë dhe lëndime tjera në sy dhe pjesë të tjera të trupit, lëndime këto të përshkruar në raportin mjekësor të Qendrës Emergjente në Ferizaj”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:  Zjarr i madh afër Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës