“Ta q* nanën ta hjeki krytë brisk, do t’iu kalli me benzinë”/ Vushtrriasi kërcënon punëtorët e KRM Uniteti

Punëtorët që kryejnë shërbime publike shpesh herë bien në telashe me qytetarë, të cilët ua vështirësojnë kryerjen e punëve të tyre. Ka raste kur ata hasin në fyerje e sharje që shpesh kalojnë edhe në kërcënime.

Një rast i tillë ka ndodhur dje rreth orës 13:40, ku dy punëtorë të Kompanisë Rajonale të Mbeturinave Uniteti, janë përballur me kërcënime serioze teksa po mblidhnin mbeturinat në një shtëpi në fshatin Pantinë të Vushtrrisë.

Sinjali mëson se ata janë kërcënuar nga pronari i shtëpisë, i cili ishte revoltuar pse punëtorët ishin futur me kamion në oborr për të marrë mbeturinat, pasi sipas tij po rridhte ujë dhe po kundërmonte.

Ai iu ishte drejtuar atyre me fjalë ofenduese e më pas i kishte ‘paralajmëruar’ se nëse shkojnë edhe një herë do t’i djeg me benzinë.

Por e gjithë drama nuk përfundoi me kaq, pasi që punëtorët sërish janë takuar në të dyshuarin, i cili kishte një mjet të mprehtë me vete dhe kishte kërcënuar njërin nga punëtorët se ta q* nanën ta hjeki krytë brisk.

Përballë kësaj situate, të dy punëtorët kanë kërkuar ndihmën e Policisë, me ç’rast njësitet policore kanë shoqëruar për intervistim personin e dyshuar, ndaj të cilit është iniciuar rasti ‘Kanosje’.

/GazetaSinjali/

Lexo edhe:  Veriu i heronjve, djali i Enver Zymberit emocionin me rrëfimin për babain hero