Në mungesë të parave, ia mbajti peng telefonin – Policia bastis banesën e dillerit të drogës në Mitrovicë

Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare. Edhe më shqetësues këtë dukuri e bën mungesa e trajtimit preventiv nga institucionet. Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike.

Një rast i tillë është zbuluar në Mitrovicë, pasi një person ka raportuar në Polici se ka blerë substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë nga një person dhe në mungesë të parave, i kishte lënë si ‘garancë’ telefonin e tij mobil.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se në bashkëpunim me Policinë kanë kryer bastisje në banesën e të dyshuarit, ku kanë gjetur dhe sekuestruar gjësendet që shërbejnë për shpërndarjen e lëndëve narkotike dhe dy telefona.

30-vjeçari është shoqëruar në stacion policor ku është intervistuar lidhur me rastin.

Me urdhër të prokurorit, ndaj tij është iniciuar rasti për veprën penale ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’.

Lexo edhe:  Vetura përfundon në murin e një shtëpie në Pejë