SPAK shpallë në kërkim të dyshuarin për planifikimin e atentatit ndaj kryeministrit Kurti

Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar – SPAK, ka arrestuar dhe ka vënë në kërkim një numër përsonash që janë aktualisht pjesë e strukturave apo ishin pjesë e tyre.

Mes 15 personave të dosjes së SPAK, tetë prej të cilëve janë arrestuar gjatë operacionit “Metamorfoza”, del edhe emri i Prek Kodrës, i cili është shpallur në kërkim.

Në dosjen voluminoze të SPAK pas zbërthimit të bisedave në aplikacionin Sky dhe Encro prej autoriteve franceze, që çoi në arrestimin e disa personave, del edhe emri i Prek Kodrës, snajperistit të verifikuar për disa vrasje në Shqipëri dhe Kosovë.

Ai dyshohet për vrasjen e Kastriot Reçit, në distancë me snajper nga 400 metra, rast edhe sot i pazbardhur.

Kodra ishte arrestuar në Shkodër për posedim të snajperit, por u lirua pasi i biri e mori persipër se ishte arma e tij.

SPAK ka njoftuar se gjatë ekzekutimit të vendimeve të gjykatës, është ushtruar kontroll në 26 banesa dhe ambiente, ku janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale shuma monetare, automjete të ndryshme, telefona, armë zjarri të ndryshme, maska, pajisje elektronike, pajisje elektronike monitorimi (servere dhe kamera) me të cilat monitoreshin ambjente të jashtme në zona të ndryshme të qytetit të Shkodrës.

SPAK ka njoftuar se në këtë aksion pos policisë së shtetit, pjesë e saj ishin edhe Eurojust, Europol, Autoritetet Gjyqësore Franceze dhe agjencitë ligjzbatuese belge, hollandeze dhe franceze.

Çfarë janë lidhjet e Prek Kodrës me Kosovën?

Për herë të parë, emri i Prek Kodrës doli në një nga emailet e ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Gledis Nano, që u publikua nga grupi i hakerëve iranianë “Homel and Justice”.

Lexo edhe:  Vrasja e Liridona Murselit, prindërit e Naim Murselit kthehen në Suedi pas anulimit të së pames

Në një dokument sekret, Njësia Kundër Terrorizmit në vitin 2021, kishte marrë informacione për atentat ndaj kryeministrit, Albin Kurti, të Ismet Haxhës, ish-anëtar i Shërbimit Informativ të Kosovës, Xhavit Halitit.

Në dokument thuhej se ai ka aftësi të mira në përdorimin e snajperëve dhe dyshohej se ishte përfshirë në disa vrasje në Kosovë dhe Mal të Zi.

Në dosjen e SPAK, ende nuk dihet roli i tij konkret, por nga bisedat e zbuluara në aplikacionet Encro dhe Sky, porositësit e vrasjeve flisnin lirshëm për punët e tyre.

Sipas të dhënave të policisë Prekë Kodra jetonte në Shkodër, ndërsa vepronte në Tropojë, Ferizaj dhe Deçan të Kosovës.

Sipas Policisë Shqiptare, ky person është hetuar për vrasje me paramendim dhe mbajtje pa leje të armëve të gjahut.

Ai ka qenë i shpallur në kërkim në vitin 2016, ndërsa pas kontrolleve në banesë iu gjetën dy armë gjahu dhe 90 fishekë. Kodra konsiderohej si person me rrezikshmëri të lartë.

Kodra kishte mohuar se ai qëndronte pas një sulmi të paralajmëruar për t’i bërë atentatit Kurtit dhe shtoi se e gjithë kjo situatë është duke ia vështirësuar jetën atij dhe familjes së tij.

“Çka me spjegu, se është diçka që vetëm kanë shpik sikur kanë shpik persona të paidentifikum për mu,. Albin Kurtin e njoh vetëm përmes televizorit, unë nuk e njof dhe nuk kam asnjë lidhje në Kosovë për asnjë lloj qëllimi të keq. Më vjen keq, më keni akuzu, po më merrni në qaf mu edhe familjen teme”, kishte thënë ai në emisionin “Pressing T7”.