Ndodh edhe kjo: Llapjani gjuan me armë ta frikësojë fqinjin që doli i zhveshur për t’i ujitur specat
Një rast jo fort i zakontë ka ndodhur të premten në mëngjes, në fshatin Sfeqël të Podujevës, ku pati të shtëna me armë dhe motivi doli te jetë banal. I dyshuari 47-vjeçar gjuajti si pasojë e një pakënaqur me fqinjin e tij.
Burimet brenda Prokurorisë bëjnë me dije se i dyshuari nga familja Podvorica, po dyshohet se shkrepi armën pasi u nervozua pse fqinji i tij e kishte zhveshur bluzën teksa po ujiste bahçen.
Përveç që dyshohet se shkaktoi rrezik, u zbulua se 47-vjeçari e mbante armën kundërligjshëm pasi nuk kishte leje.
Sinjali mëson se fatmirësisht nuk pati të lënduar, pasi i dyshuari gjuajti në ajër, me qëllim qe ta frikësojë fqinjin e tij.
Posa rasti u denoncua në Polici, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratën e tij për rastin.
Pas përfundimit të procedurave policore, ndaj tij, me urdhër të Prokurorit të Shtetit kanë nisur hetimet në drejtim të dy veprave penale “Përdorim i armës” dhe “Armëmbajtje pa leje”.