Gruaja me tre fëmijë kërkon ndihmën e Policisë në Skenderaj, thotë se burri e rrahu
Numri i rasteve të dhunës në vendin tonë është në rritje çdo ditë e më shumë. Çdo ditë gra që përjetojnë dhunë nga familjarët e tyre, kryesisht bashkëshortët, kërkojnë ndihmën e Policisë për të marrë mbrojtje dhe për të zgjidhur problemet, raporton Gazeta Sinjali.
Ndihmën e Policisë e ka kërkuar së fundi edhe një grua në fshatin Prekaz i Epërm në Skenderaj, e cila bashkë me tre fëmijët e mitur u paraqit në stacion policor.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se 36-vjeçarja ka pohuar se bashkëshorti i saj e ka sulmuar fizikisht, duke e goditur me shuplakë. I njëjti dyshohet të ketë ofenduar rëndë viktimën dhe vajzën e tyre.
Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë arrestuar të dyshuarin dhe kanë bastisur shtëpinë e tij.
Viktima është pajisur me urdhër të mbrojtjes, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit do të hetohet në liri për veprën penale ‘Dhunë në familje’.