“Pamë një dorë…”, dëshmitarët rrëfejnë momentin kur i nxorën nga uji tri viktimat në Kavajë

Babai me dy djemtë e mitur mund të kishin shpëtuar nëse do të kishte vrojtues dhe ndihma mjekësore do të ishte më e shpejtë, thanë dëshmitarët e tragjedisë në plazhin e Vilë Bashtovës.

Dëshmitarët gjithashtu thanë se pritën për gati 20 minuta ambulancën, ndërsa ishin pushuesit, ata që dhanë ndihmën e parë.

“Ato mblidhen të gjitha, po duhet të ketë kujdes për fëmijët në plazh në ujë, nuk ka roje, as vrojtues as roje bregdetare. Edhe mund të shpëtonin nëse do të kishte roje. Ambulanca nuk hyri fare, i mori me mbulesa pasi pritën 20 minuta”, tha qytetari për Top Channel.

“Pamë një gjë të zezë, bënë masazh njerëzit, mezi erdhi një ambulancë, kur dolën nga deti ishin të vdekur, po bënë shumë masazh, na erdhi shumë keq për ta, hynë pushues dy tre, hyri ai plaku me atë varkën, duhet të jenë këta të shpëtimit, ka shumë dallgë sot”, tha një pushuese.

“Prindërit duhet t’i kenë pranë gjithmonë fëmijët, nën kontroll, ky është plazh i ri tani është hapur, prandaj nuk ka roje”, tha një tjetër pushues.

“Kishte dallgë, sapo erdhëm në mëngjes e pamë që kishte dallgë, fëmijët tentonin shumë të hynin, më erdhi e papritur se vetëm një moment pamë që një ndër personat që ishin aty ngriti dorën dhe në atë moment u turrëm, isha aty afër, ishte një me kajak, u turrëm dhe i kapëm, i nxorëm në breg i shtrimë, menduam se ishte një, kur pamë që ishin tre veta, ai babai ishte i bëshëm mezi e nxorëm, i nxorëm në breg dhe kush mundi nisi t’i bënte masazh”, tha njëri prej personave që u erdhi në ndihmë.

Lexo edhe:  E rëndë: Vdes papritur një i ri, në mes të lokalit bjen pa ndjenja

“Nëse edhe më shpejt nëse do të kishte pasur ndihmë mjekësore edhe do të ishte evituar, pashë që u sensibilizua e gjithë shoqëria aty, por ishte e kotë”, tha një tjetër.

Babai i identifikuar si Elvis Halilaj 50 vjeç, me dy djemtë e mitur 13 dhe 15 vjeç, ishin duke notuar në det teksa ende nuk dihen rrethanat sesi janë mbytur ndërsa notonin në plazhin e Vilë Bashtovës.

Shërbimet e Njësisë Policore Detare kanë ndërhyrë për t’i shpëtuar por të tre shtetasit kishin ndërruar jetë si pasojë e rrymave detare. Ngjarja e rëndë nxjerr në pah pasojat e mungesës së masave të sigurisë, flamujve sinjalizues dhe vrojtuesve të plazheve.

Trupat e pajetë të familjarëve deklarohet se janë dërguar në spitalin e Kavajës dhe pritet të nisen në atë të Durrësit për t’iu nënshtruar ekspertizës mjeko-ligjore, ndërsa vijon puna për zbardhjen e plotë të kësaj tragjedie në sezon pushimesh.