Beogradi pretendon se policia e Kosovës ky hyrë “sërish” në territor të Serbisë

Nga Beogradi po pretendohet se një veturë e Policisë së Kosovës ka hyrë në territorin e Serbisë.

Kështu është shprehur drejtori i Zyrës për Kosovën në Serbi, Petar Petkoviq, i cili tha se patrulla e policisë së Kosovës ka hyrë 500 metra në territorin e Serbisë.

“Policia e Kurtit sërish ka hyrë në territorin e Serbisë qendrore, 500 metra nga vija administrative, me një automjet policie të armatosur deri në dhëmbë. Një polic nga Bujanoci ka vërejtur sot një veturë policore të Policisë së KS nga Karaçeva në lëvizje të shpejtë në drejtim të fshatit Breznicë. Ai automjet po ndiqte një furgon të bardhë. Nga ajo rrugë mjeti i bardhë është kthyer dhe ka shkuar në drejtim të fshatit. Pjesëtarët tanë të policisë shkuan në drejtim të pjesëtarëve të policisë së KS për t’i ndaluar ata të kryejnë krime në Serbi”, tha Petkoviqi, raporton N1, transmeton Klankosova.tv.

Ai ka shtuar se kur kanë parë se janë pikasur nga pjesëtarët e policisë serbe, pasagjeri është futur me shpejtësi në veturë dhe janë larguar në drejtim të Kosovës, gjegjësisht në drejtim të Karaçevës.

“Çfarë do të kishte ndodhur po të mos i kishte parë policia jonë, do të kishin shkuar në drejtim të fshatit Breznicë për të kryer krime. Nuk kanë çfarë të kërkojnë në Serbinë qendrore, ashtu siç nuk kanë pasur çfarë të kërkojnë më 14 qershor. Pas kësaj, shoferi i furgonit me vetëparaqitur në stacion policor dhe ka treguar se çfarë ka ndodhur, ka thënë se pjesëtarët e policisë së KS kanë filluar ta ndjekin pasi kishte targa të Bujanocit pa stikera”, tha Petar Petkoviq.

Lexo edhe:  E rrahën e më pas ia grabitën telefonin një personi në Prishtinë, arrestohen dy të dyshuar

Klankosova.tv ka kontaktuar me Policinë e Kosovës për këtë rast dhe është në pritje të përgjigjes.