Mbesin në paraburgim dy serbët e arrestuar në Jarinjë nën dyshimet për terrorizëm

Dy qytetarët serbë, Sinisha Jevtiq dhe Ivan Sekuliq, të arrestuar më 31 maj në Jarinjë nën dyshimet për vepra penale të terrorizmit, pas kërkesës së Prokurorisë Speciale do mbeten në paraburgim edhe për një muaj, me vendim të Gjykatës.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

“Departamenti Special në çështjen penale kundër të pandehurve S.J dhe I.S, pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ka vendosur për vazhdimin e masës së sigurisë. Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për vazhdimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve S.J dhe I.S, ashtu që masa e paraburgimit i është vazhduar edhe për 1 (një) muaj, për secilin”, tha Gashi.

Gjatë kontrollimit të pandehurve i’u gjetën armë të ftohta në bagazh të makinës dhe pajisje shpërthyese me intensitet të fuqishëm, maska kamuflazhi dhe kapelë më mbishkrime “Baretave Serbe” si dhe 1 thikë e cila ishte ushtarake, dhe 4 sprej, përveç këtyre, u gjetën edhe një shufër metalike, çekan metalik dhe substance me përmbajtje të panjohur të cilat planifikoheshin kundër KFOR-it dhe Policisë së Kosovës.

Të njëjtëve iu ishte caktuar paraburgimi për 30 ditë më 1 qershor të këtij viti.

Lexo edhe:  “Kriptovalutat janë veç një mashtrim”