Prizrenasi e kërcënon ish-bashkëshorten përmes telefonit, futet në telashe me Policinë
Ka shumë raste kur gratë kosovare nuk ‘shpëtojnë’ nga problemet edhe pse zgjedhin që të shkurorëzohen e të ndajnë rrugët me bashkëshortët e tyre, të cilët u shkaktojnë telashe.
Edhe pas ndarjes, shumë nga ta nuk i lënë rehat ish-partneret e tyre, raporton Gazeta Sinjali.
Me një situatë të tillë është përballur dje një grua në Prizren, e cila ka kërkuar ndihmën e Policisë pas shqetësimeve nga ish bashkëshorti.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se viktima ka deklaruar se i dyshuari po e kërcënon në vazhdimësi, duke i shkaktuar frikë e shqetësim.
Bazuar në dëshminë e viktimës është kuptuar se i dyshuari e ka kanosur viktimën përmes telefonit e rrjeteve sociale, derisa u detyrua që ta denoncojë rastin në Polici.
Si rezultat i denoncimit, Policia është aktivizuar për kapjen e të dyshuarit, i cili ndodhet akoma në arrati.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’, ndërsa veprimet e tjera do të ndërmerren posa të sigurohet prezenca e tij.