Këta janë tre mjekët e arrestuar në Spitalin Rajonal në Prizren
Gazeta Sinjali pak më parë raportoi për arrestimin e tre mjekëve në Spitalin Rajonal në Prizren, pas rastit të rëndë që ka ndodhur dje në repartin e Gjinekologjisë, ku një foshnjë ka ndërruar jetë menjëherë pas lindjes.
Sinjali mëson ekskluzivisht se mjekët e arrestuar janë:
Sami Reshitaj
Gazmend Sylejmani
Fisnik Sinani
Të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor, ku janë intervistuar në prezencën e avokatëve të tyre.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarve t’u caktohet masa e ndalimit policor dhe të njëjtit do të hetohen nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor’.
Kujtojmë se rasti ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të djeshëm dhe më pas babai i foshnjës ka njoftuar Policinë, pasi ai dyshon se kjo ka ndodhur për shkak të neglizhencës së stafit mjekësor.
Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e nevojshme, teksa me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i foshnjës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Gazeta Sinjali ka kontaktuar me shefin e repartit të Gjinekologjisë në Prizren, Sabajdin Gjini, por i njëjti ka refuzuar të prononcohet, duke thënë se me rastin tashmë po merren organet e hetuesisë.
“S’muj me dhanë deklarata, se ajo ka ndodh herët në mëngjes. Merret tash Prokuroria. Nuk jam për prononcime. Merret hetuesia, foshnja është çu në obduksion, ekspertizën mjekoligjore, ka kush merret me këtë çështje”, tha Gjini për Sinjalin.