Punëtori i kompanisë “Cakolli Group” rrëzohet nga objekti në Gjilan, dërgohet në QKUK
Një punëtor është rrëzuar sot nga objekti ku po punonte në Gjilan dhe ka pësuar lëndime.
Viktima është një 21-vjeçar, punëtor i kompanisë “Cakolli Group SHPK”, i cili është dërguar me urgjencë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku tashmë po merr trajtim mjekësor
Sinjali raporton se i riu ishte rrëzuar nga një lartësi prej rreth 4 metrash, duke humbur vetëdijen, për çka ishte dërguar me urgjencë fillimisht në Emergjencën e Spitalit Rajonal të Gjilanit, për t’u transferuar më pas në QKUK.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore edhe inspektorët e punës të cilët kanë kryer ekzaminimet nëse janë plotësuar apo jo kushtet e punës dhe masat e sigurisë.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim për nisjen e hetimeve në drejtim të veprës penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi në vendin e punës”.