Jabllanoviq i kundërpërgjigjet Kurtit me ironi: Ta jap një banesë nëse ma gjen tjetrën
Politikani serb, Aleksandar Jabllanoviq i është kundërpërgjigjur kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, pas dyshimeve të ngritura nga ai se mori banesa dhe para për t’u tërhequr nga gara në zgjedhjet në komunat veriore.
Jabllanoviq përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Twitter, ka thënë fillimisht se në një sistem demokratik, sot ai ose kryeministri Kurti do të duhej të ishin duke u intervistuar në zyrën e prokurorit.
Më tutje, ai ka ironizuar, duke thënë se do t’ia japë kryeministrit një banesë dhe gjysmën e parave, nëse i tregon se ku është pjesa tjetër.
“Në një sistem serioz demokratik sot, në zyrën e prokurorit për t’u intervistuar do të ishte ose zotëriu Albin Kurti ose une. Meqë jemi larg prej demokracisë, po i jap kryeministrit një banesë dhe 500 mijë euro, dhe vetëm po e pyes atë të më tregojë se ku është tjetra banesë dhe pjesa tjetër e parave”, ka shkruar ai.