Rama e paralajmëron Vuçiqin: Do të rikthehet akulli mes nesh nëse nuk lirohen 3 policët e Kosovës

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, i ka kërkuar Serbisë lirimin e 3 policëve kosovarë të rrëmbyer, duke thënë se nëse nuk e bëjnë një gjë të tillë, do të rikthehet “akulli” mes dy vendeve.

Nga ana tjetër, Rama i ka bërë thirrje edhe homologut Albin Kurti që të mos e humbasë Veriun, “duke parë kudo armiq e tradhtarë.”

“Sa më shumë mbahen në Serbi këta tre burra që edhe sikur ta kenë shkelur vijën e kufirit s’kanë kryer asnjë krim, aq më pak do jetë e mundur që marrëdhëniet tona bilaterale të mos bëjnë shumë hapa mbrapa! Kjo do jetë java e rikthimit të akullit mes nesh nëse ata nuk lirohen! Nga ana tjetër nëse de-eskalimi nuk ndodh e humbura e madhe do të jetë Kosova – sepse Serbia mbase nuk jeton dot pa u ri-izoluar! Druaj shumë se sa më shumë Albini këmbëngul në të tijën kundër aleatëve, aq më shumë situata mund të agravohet, duke rikthyer KFORin në krye të punës! E atëherë lamtumirë për kushedi sa kohë edhe kontrollit formal të shtetit mbi krejt territorin dhe ta gëzojmë një Republikë të KFORit në Veriun e Kosovës! Albin dil nga guacka e vetizolimit dhe mos e humb Veriun duke parë kudo armiq e tradhëtarë! Koha është tani dhe po fluturon!”, ka shkruar Rama.

Lexo edhe:  Në Serbi edhe sot po vazhdojnë kërkimet për Faton Hajrizin