Ky është i dyshuari për përleshjen e mbrëmshme në Prishtinë, gjuajti disa herë me armë zjarri

Të dielën në orët e mbrëmjes janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri në rrugën “Bajram Bahtiri” në Prishtinë, gjatë një përleshjeje mes dy personave. Njëri prej tyre mbeti i lënduar, por jo nga arma e zjarrit, teksa tjetri është shpallur në kërkim nga Policia. Gazeta Sinjali ka raportuar mbrëmë për këtë rast, ndërkohë që tashmë është zbuluar se kush është personi i dyshuar.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se personi që po qëndron në arrati, pasi dyshohet për këtë rast është Qëndrim Marevci, i cili përveç që dyshohet se ka sulmuar fizikisht viktimën, edhe ka shkaktuar rrezik me përdorimin e armës.

Sinjali mëson i dyshuari është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes dhe akoma Policia nuk ka arritur të lokalizojë vendndodhjen e tij.

Pas raportimit të rastit, në vendin e ngjarjes janë sekuestruar katër gëzhoja, ndërkohë që Policia ka kryer edhe bastisje në shtëpinë e të dyshuarit.

Në anën tjetër, viktima është dërguar në QKUK, ku po merr trajtim mjekësor, si pasojë e plagëve që ka pësuar në këmbe.

Kjo është konfirmuar të dielën edhe nga shefi i Urgjencës në QKUK, Avdyl Pacolli, i cili tha për Sinjalin se viktima ka pësuar lëndim të zogut të këmbës ndërsa gjendja shëndetësore e tij është stabile

“Pacienti është trajtuar nga ekipi në lëvizje e cila e ka marrë thirrjen dhe ka shkuar në vendin e ngjarjes. Është thirrë për plagosje por nuk ka pas plagosje por ka pas lakim të nyjës së zogut të këmbës dhe është trajtuar në këmbën e majtë. Atij i është dhënë terapi për dhimbje dhe është transferu në qendren emergjente në SHSKUK”, tha Pacolli.

Lexo edhe:  "Marakli t’Biciklave” marshojnë kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave

Edhe nga Policia kanë bërë me dije se tashmë kanë nisur hetimet për këtë rast në drejtim të veprës penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

“Ka ndodhur një konflikt/ rrahje në mes të dy personave meshkuj kosovarë, ku gjatë konfliktit dyshohet se ka pasur edhe të shtëna me armë. Në vendin e ngjarjes janë gjetur katër gëzhoja. Viktima i cili ka pësuar lëndime trupore ka pranuar tretmanmjekësor, kurse i dyshuari në kërkim policor.Rasti në procedurë hetimore.”

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.