Burri në Viti rrah brutalisht bashkëshorten me grushte dhe shqelma, shpallet në kërkim nga Policia

Vajzat dhe gratë vazhdojnë të mbeten viktimat më të shpeshta të dhunës në familje. Bashkëshortët dhe anëtarët tjerë të familjes në shumë raste ushtrojnë dhunë sistematike në mënyra të ndryshme ndaj tyre. E për shkak të dhunës fizike që përjetojnë, viktimat në të shumtën e herëve përfundojnë me lëndime të rënda dhe dërgohen në spital.

Me dhunë brutale nga bashkëshorti i saj, është përballur gjatë ditës së djeshme edhe një grua nga Vitia.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se ka qenë vetë viktima ajo e cila ka denoncuar rastin në Polici, e cila dyshohet se është grushtuar e shqelmuar nga burri i saj, të dielën në mbrëmje.

Përballë kësaj situate, ajo ka vendosur që të largohet nga shtëpia bashkë me fëmijët e saj dhe të shkojë te familja e saj, aty ku ndihet më e sigurt.

Ndërkohë i dyshuari është në kërkim nga Policia, pasi që i njëjti menjëherë pas kryerjes së veprës është larguar në drejtim të panjohur.

Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Dhunë në familje’, ndërsa veprimet tjera do të ndërmerren pasi të sigurohet prezenca e të dyshuarit.

Lexo edhe:  Kurti e mbështet për muri opozitën, i sfidon seriozisht për zgjedhje