Këta janë të dyshuarit për rrahjen brutale në Fushë Kosovë, dy prej tyre u gjetën të gjakosur nga Policia

Katër persona janë lënduar si pasojë e një rrahje brutale që ka ndodhur së fundmi në rrugën “Hajrullah Zymi” në Fushë Kosovë. Të dyshuarit që pësuan lëndime kanë marrë trajtim mjekësor dhe më pas tre prej tyre kanë përfunduar në ndalim policor. Sinjali ka mësuar se kush janë të dyshuarit që u futën në sherr për motive akoma të panjohura.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Ermal Kutllovcin, Endrit Danin dhe Ilirin Danin, të tre 19-vjeçarë, të cilët janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa i dyshuari tjetër i mituri R.K., është liruar.

Sinjali mëson se dy palët janë kapur me njëri-tjetrin, dhe për pasojë të dyshuarit, Ermali dhe R.K., vëllezër mes vete, janë gjetur të gjakosur për shkak të lëndimeve që kanë pësuar.

Pasi Policia ka intervenuar në vendin e ngjarjes, ka arritur t’i kap edhe dy të dyshuarit e tjerë, të cilët janë arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, ndërsa është sekuestruar edhe një mjet i fortë.

Hetimet për këtë rast kanë nisur në drejtim të veprës penale “Lëndim i lehtë trupor”, teksa veprimet tjera do të merren brenda afatit ligjor.

Rasti është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:  Vrasje në tentativë në Podujevë, plagoset me armë zjarri një 17-vjeçar – të dyshuarit në arrati