Në situatë të tensionuar, Kosova mbetet pa zot shpije – Osmani e Kurti udhëtojnë jashtë vendit
Për të tretën ditë radhazi, serbët lokalë janë mbledhur në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, ku po protestojnë kundër kryetarëve të rinj shqiptarë të zgjedhur nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit.
Ndonëse ka rrezik për eskalim të situatës, për shkak të veprimeve të dhunshme të protestuesve ku si pasojë 30 ushtarë të KFOR-it kanë mbetur të lënduar, krerët shtetërorë të Kosovës aktualisht ndodhen jashtë vendit.
Presidentja e shtetit, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Kishinau të Republikës së Moldavisë ku do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në samitin e dytë të Komunitetit Politik Evropian (EPC).
“Presidentja Osmani do t’u bashkohet 46 krerëve të tjerë të shteteve të kontinentit evropian si dhe krerëve të institucioneve të BE-së, me qëllim të nxitjes së dialogut politik dhe forcimit të bashkëpunimit për t’i adresuar çështjet më urgjente të sigurisë dhe stabilitetit në Evropë”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Po ashtu edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka shkuar jashtë shtetit. Ai po qëndron në kryeqytetin e Sllokavisë, në Bratislavë, ku po merr pjesë në Forumin “GLOBSEC2023”.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, H.E. Albini Kurti, ka mbërritur në Forumin #GLOBSEC2023 në Bratislavë. Dëgjojeni atë më vonë këtë mëngjes në një bisedë me titull: Në qendër të vëmendjes: Ardhmëria e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Forumit.
Kujtojmë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e qortuan Kosovën për përshkallëzimin e tensioneve me Serbinë, duke thënë se përdorimi i forcës për të instaluar kryetarët në komunat me shumicë serbe, minoi përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Si pasojë SHBA-ja, mbështetësja më e madhe e pavarësisë së Kosovës, vendosi të anulojë pjesëmarrjen e Kosovës në një stërvitje ushtarake të NATO-s, pasi Prishtina zyrtare refuzoi t’i tërheqë kryetarët e komunave dhe forcat e saj policore nga veriu i vendit.
Ashpër reagoi edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i cili së fundi i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që t’i kthehen dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, për normalizimin e marrëdhënieve.
Ai përsëriti se vendimi i Qeverisë së Kosovës për t’i instaluar me forcë kryetarët e rinj në komunat me shumicë serbe në veri, i përshkallëzoi tensionet “në mënyrë të mprehtë dhe të panevojshme”.
Në anën tjetër, NATO-ja do të dërgojë 700 trupa shtesë në Kosovë dhe do të vendosë një batalion tjetër në gjendje gatishmërie të lartë.
Kjo, pasi trazirat në vend u intensifikuan prej se kryetarët shqiptarë morën detyrën në komunat me shumicë serbe në zonën veriore.
Kujtojmë se kryetarët e mëparshëm të Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit, vinin nga radhët e Listës Serbe dhe të njëjtit dhanë dorëheqje në nëntor të vitit të kaluar në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e veturave nga targat ilegale të lëshuara nga Serbia në ato RKS.
Zgjedhjet e 23 prillit u bojkotuan nga Lista Serbe dhe nga popullata shumicë serbe në veri, e cila tani nuk i pranon rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj.