Burri rrah mizorisht gruan e tij në Kaçanik, ia thyen dorën me mjete të forta

Dhjetëra raste të dhunës në familje raportohen çdo ditë në Policinë e Kosovës, ku viktima janë kryesisht gratë që pësojnë nga bashkëshortët e familjarët e tjerë. Shumë prej tyre nuk i denoncojnë rastet në momentin kur përjetojnë dhunën për shkak të frikës. Një rast i tillë ka ndodhur edhe në Elezaj të Kaçanikut para disa ditësh, por u raportua tek dje.

Sinjali mëson se bëhet fjalë për një grua e cila ka vendosur ta njoftojë familjen se bashkëshorti N.O., 37-vjeçar, po ushtron dhunë ndaj saj, saqë herën e fundit ia ka thyer edhe dorën. Ky lajm ndonëse i keq për familjen e saj, bëri që Policia të vihet në dijeni në lidhje me rastin.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se rasti është denoncuar nga një familjar i viktimës, i cili ka raportuar se dhëndri i tyre i ka shkaktuar lëndime të rënda vajzës së tyre.

Posa është marrë informacioni, një patrullë policore ka shoqëruar palët në stacion policor, ku kanë dhënë deklaratat e tyre. Sipas gruas, para disa ditësh, burri e ka rrahur me mjete të forta, me ç’rast i ka shkaktuar lëndime aq të rënda, sa ka pësuar frakturë në dorë.

Gjithë tmerrin që e përjetoi në shtëpinë e tyre ajo s’pati frikë derisa e gjeni një mundësi për t’i njoftuar familjarët e saj, të cilët e shpëtuan.

Si rezultat i denoncimit, Prokurori i Shtetit ka marrë vendim që i dyshuari të dërgohet në mbajtje për 48 orë dhe të hetohet për veprat “Lëndim i rëndë trupor dhe Dhunë në familje”.

Lexo edhe:  Vdes një vajzë e re në Brezovicë