Bastisen pronat e 11 zyrtarëve, dyshohet për keqpërdorim me procedurat e ndërtimit të objekteve në vlerë mbi 120 milionë euro

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka dalë me detaje për aksionin e sotëm të zhvilluar në 12 lokacione, ku u bastisën pronat e 11 zyrtarëve, të cilët dyshohet se kanë kryer veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar“, “Lidhja e kontratës së dëmshme” dhe “Mashtrimi”, raporton Gazeta Sinjali.

Përmes një komunikate për media, Prokuroria njofton se bëhet fjalë për personat e dyshuar me inicialet: H.H, V.M, D.K, L.M, XH.L, A.J, G.SH, B.P, A.M, B.B dhe D.B.

Prokuroria njofton se në këto lokacione janë sekuestruar prova materiale si: “17 dosje dhe dokumente që ndërlidhen me rastin, 6 laptop, 2 shtëpiza, 11 telefona, 2 sim card dhe 6 usb”.

Sipas PSRK-së, “ekziston dyshimi i arsyeshëm se është keqpërdor detyra zyrtare, nga zyrtarët e përfshirë në këtë proces, nga faktet se si janë zhvilluar procedurat e përshpejtuara për ndërtimin e katër objekteve afariste dhe banesore, vlera e të cilave kalon njëqindenjëzet milion (120.000.000) euro”.

Njoftimi i plotë:

Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, bazuar në urdhër kontrollin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, sot, në orët e hershme ka filluar kontrollin në dymbëdhjetë (12) lokacione të ndryshme, me qëllim të sigurimit të provave.

Prokuroria Speciale njofton se kontrolli është realizuar në pronat e të dyshuarave H.H, V.M, D.K, L.M, XH.L, A.J, G.SH, B.P, A.M, B.B dhe D.B. të cilët në cilësinë e personave zyrtar, dyshohet se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 i KPRK-së; “Lidhja e kontratës së dëmshme” nga neni 285 i KPRK-së; dhe “Mashtrimi” nga neni 323 i KPRK-së.

Gjithashtu, ekziston dyshimi i arsyeshëm se është keqpërdor detyra zyrtare, nga zyrtarët e përfshirë në këtë proces, nga faktet se si janë zhvilluar procedurat e përshpejtuara për ndërtimin e katër objekteve afariste dhe banesore, vlera e të cilave kalon njëqindenjëzet milion (120.000.000) euro.

Lexo edhe:  Sulmi i armatosur në Banjskë u zhvillua nga një strukturë e organizuar

Gjatë zbatimit të urdhër kontrollit në dymbëdhjetë (12) lokacione të ndryshme, janë sekuestruar prova materiale të cilat do të jenë të rëndësishme për procedurë të mëtutjeshme hetimore si:

17 dosje dhe dokumente që ndërlidhen me rastin, 6 laptop, 2 shtëpiza, 11 telefona, 2 sim card dhe 6 usb.