Këto janë lokacionet ku po zhvillohet aksioni kundër fajdeve
Gazeta Sinjali pak më parë raportoi ekskluzivisht për një aksion të Njësisë së Krimeve të Rënda dhe Prokurorisë Themelore në Ferizaj në rajonin e Prishtinës dhe Podujevës. Sipas burimeve, aksioni lidhet me fajdenë dhe ka të arrestuar.
Raportimin e Sinjalit e ka konfirmuar edhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari, i cili tha se po kryhen bastisje në Podujevë, Prishtinë dhe Vushtrri.
Jashari tha për Sinjalin se ky aksion lidhet me një rast i cili është subjekt hetimi në Ferizaj dhe lidhet me fajde.
“Është duke u zhvillu një aksion, është një rast që është duke u hetu në Ferizaj që ka ndërlidhje me këtë rast. Është për shkak të fajdeve. Janë duke u zhvillu disa bastisje në Podujevë, Prishtinë, Vushtrri. Ende nuk ka përfundu bastisja”, tha ai për Sinjalin.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se aksioni po kryhet në disa lokacione dhe cak i bastisjes janë disa shtëpi dhe objekte përcjellëse të personave që dyshohen për veprën penale të fajdesë dhe identifikimin e sekuestrimin e provave materiale që do të përdoren në procedurën e mëvonshme kundër tyre.
Sipas burimeve, bastisja e sotme është në vazhdën e aksioneve të mëhershme që kanë rezultuar nga rasti i njohur si ‘Brezovica’, mirëpo nuk lidhet me Brezovicën.