Rrëfimi i viktimës së fajdeve – reagon Dion(ish-Hamdi) Rashica
Shefki Hyseni viktimë e fajdeve ka zbuluar për Indoks detaje tronditëse të rastit të tij. Në rrëfimin e tij Hyseni ka treguar se si i mbeti që të paguaj borxhin e një personi për të cilin thotë se i shpëtoi jetën. Borxh ky për të cilin thotë se nisi me 8 mijë euro e përfundoi në 300 mijë euro. Hyseni ka zbuluar se personi që e sulmoi, po për këtë borxh, madje ka arritur që ta ndryshoi edhe emrin nga Hamdi Rashica në Dion Rashica. Ky i fundit ka reaguar duke i quajtur të gjitha deklaratat e Hysenit të pavërteta.
Dion (ish-Hamdi) Rashica i cili po akuzohet për fajde ka reaguar ndaj shkrimit të Insajderit me titull “Borxhi i 8 mijë eurove u bë 300 mijë euro”.
Ai ka thënë se Shefki Hyseni ka njollosur emrin e tij me deklarata të pavërteta, duke denigruar edhe personalitetin e tij si ushtar i UÇK’së.
“Unë, Hamdi Rashica, ish ushtar i UÇK-së shpreh indinjatën e thellë ndaj intervistës së Shefki Hysenit, intervista e të cilit është publikuar në Gazeta Insajderi.org. I cili përmes intervistës tuaj ka njollosur emrin tim me deklarata të pavërteta, duke denigruar edhe personalitetin tim si ish-ushtar i UÇK-së. Përmes këtij reagimi që shpresoj do të publikohet në mediumin tuaj, konfirmoj se ky njeri është mashtrues dhe jam viktimë e këtij mashtruesi. Le të del vetëm dikush që thotë se ‘Hamdi Rashica më ka marrë fajde’, atëherë le t’i drejtohet organeve të drejtësisë dhe ta dëshmon një gjë të tillë.Kurrë në jetën time nuk jam marrë me gjëra të tilla”, ka deklaruar Rashica.
Rashica pretendon se Hyseni i ka borxh atij, ndërsa shton se për këtë gjë është në dijeni edhe prokurori.
“Personi në fjalë me ka mua borxh dhe këtë e di edhe prokurori dhe atë borxh nuk ia fali, sepse ka vite që nuk më përgjigjet. Ky person është mashtrues. Ai ka shkuar në Francë për të fituar lejen e qëndrimit dhe ka dështuar në këtë qëllim, e tash është kthyer prapë dhe kërkon arsye që me deklarata të pavërteta të më akuzojë mua, vetëm e vetëm që të arrijë synimin që të dalë jashtë vendit dhe t’i fitojë letrat kinse jam i kërcënuar nga dikush. Qëllimi i tij është ky t’i përbaltë të tjerët e të dalë në opinion duke akuzuar të tjerët. Në fakt ky është mashtrues, kjo do të vërtetohet, sepse ka shumë vepra për të cilat ai ngarkohet ku shumë të tjerë janë viktimë e këtij mashtruesi”, theksoi Rashica.
Para publikimit të intervistës së Shefki Hysenit, Indoks ka kontaktuar të përmendurin Dion (ish-Hamdi) Rashicën, mirëpo i njëjti nuk ka kthyer përgjigje deri në publikimin e videos dhe shkrimit. I kontaktuar ishte edhe avokati i Rashicës, Kadri Osaj i cili po ashtu nuk ka kthyer përgjigje.
Ndërkohë, Indoks ka zbuluar se Rashica në të vërtetë e ka ndryshuar emrin personal në dhjetor të vitit 2012. Hamdiu është kthyer në Dion. Vendimi për ndërrimin e emrit personal është nxjerrë në procedurë të rregullt.
“Sipas nenit 17 dhe 18 të Ligjit Nr. 02/L-118 Për Emrin Personal, i është lejuar ndërrimi i emrit personal qytetarit Hamdi Rashica në emrin Dion Rashica, pasi që qytetari nuk ka pasur asnjë ndalesë dhe pengesë ligjore sipas kërkesës dhe dëshmive që i ka prezantuar me rastin e parashtrimit të kërkesës. Vendimi për ndërrimin e emrit personal është nxjerr në procedurë të rregullt administrative me datë 28.12.2012 nga Drejtoria për Administratë pasi që janë plotësuar të gjitha kushtet dhe kriteret për aprovim”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Vushtrrisë.
Derisa InDoks po priste që të përcillte këtë rast penal, për çudi të martën ka dështuar seanca për të.
Mungoi madje edhe Prokurori me arsyetimin se “ishte në pushim vjetor”. Mungoi edhe njëri nga dy të akuzuarit e këtij rasti Fitim Shala. I dyshuari tjetër Dion Rashica, po akuzohet për fajde, sulm, lëndim të lehtë trupor dhe armëmbajtje pa leje.
Vet Hyseni si palë e dëmtuar ishte paraqitur në objektin e gjykatës, mirëpo kishte deklaruar se nuk do të qëndronte në seancë. Aktakuza ndaj Dion Rashicës e Fitim Shalës është ngritur më 12 prill 2022.
Dion Rashica dhe Fitim Shala akuzohen se më 28 mars 2022, në shtëpinë e të dëmtuarit Shefki Hyseni në Mitrovicë, së bashku kanë sulmuar të dëmtuarin Hyseni, shkruan Betimi për Drejtësi.
Sipas një pjese të aktakuzës, të pandehurit pasi që kanë shkuar në shtëpinë e të dëmtuarit për ti kërkuar paratë në shumën prej 7 mijë euro, të cilat i dëmtuari ia kishte borxh të akuzuarit Dion Rashica, e fillimisht ishin fyer me fjalë dhe pastaj janë shtyer me duar, ku i pandehuri Fitim Shala e ka sulmuar fizikisht me dorë dhe pastaj e mban të dëmtuarin, ndërsa i pandehuri Dion Rashica e sulmon të njëjtin duke e goditë me kondak të armës në kokë.