Anëtari i VV-së kritikon krerët e shtetit që po “derdhin lot” për vrasjet në Beograd
Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh edhe ish-sekretar i VV-së në Mitrovicë dhe ish-drejtor i inspektoratit në Komunën e Mitrovicës gjatë mandatit të kaluar, Fidan Ademi, ka reaguar ashpër ndaj institucioneve dhe zyrtarëve të cilët shprehën ngushëllime për masakrën që ndodhi dje në Serbi.
Ademi ka kritikuar edhe krerët e shtetit duke thënë se dikush edhe mund të jetë naiv për të vajtuar një tragjedi në Serbi, duke rikthyer në kujtesë krimet e kryera nga Serbia në Kosovë, shkruan lajmi.net.
“1133 fëmijë shqiptar janë vrarë në luftën e fundit nga populli Serb. Sllobodan Milloshevici ishte zgjedhur me vota të popullit serb, e gjatë luftës së Kosovës, krejt spektri politikë qeverisnin bashkë atje. S’ka kërkim falje, s’ka distancim nga e kaluara! Dikush mund të jetë naiv sa të derdhin edhe lotë e të ndezin qirinj për kasapin e per tu dukur liberal e mendjehapur mund ta japin empatin FALAS!”, ka thënë Ademi.
Ai ka thënë se kosovarët mendojnë e besojnë që empatia duhet të fitohet.
“Sigurisht pasi largohen pretendimet e popullit serb ndaj Kosovës dhe të bëhet drejtësia për të gjitha krimet e tyre! Në fund të fundit, një shoqni e cila këndon këng qysh me i pre Shqiptarët në djep e me ju nxjerr sytë, krijon monstruma të tillë”, ka thënë Ademi.