Këta janë dy shoferët me më së shumti gjoba, njërit i është ndaluar vozitja deri në vitin 2039 e tjetrit deri në 2035

Policia e Kosovës brenda ditës shqipton rreth 2 mijë gjoba kundërvajtëse në trafik.

Por janë dy shoferë që kanë thyer çdo rekord të gjobave. Ata kanë mbi 200 tiketa kundërvajtëse në trafik dhe të njëjtëve u është ndaluar ngasja e automjeteve deri në vitin 2039, respektivisht 2035.

IndeksOnline ka siguruar tiketat e tyre dhe ndalimin që u është bërë për të vozitur, njëri për 16 vjet e tjetri për 12 vjet. Arsyeja pse u është ndaluar për kaq shumë kohë vozitja është se të njëjtit janë hasur duke vozitur disa herë në kohë kur atyre u ishte vendosur masa mbrojtëse- ndalim i vozitjes.

Të dhënat e siguruar nga IndeksOnline tregojnë se rreth 10 mijë shoferëve u është marrë patenta gjatë vitit të kaluar (2022) në Kosovë.

Disave u është ndaluar ngasja për tre muaj, disave për 6 e 9 muaj ndërsa janë vetëm 2 raste janë kur shoferëve u është ndaluar drejtimi i mjetit deri në 2 vjet. Por nëse të njëjtit janë hasur duke vozitur sërish në kohën kur e kanë pasur të ndaluar, atëherë gjoba u është vazhduar edhe për aq kohë sa ka qenë ndalimi.

Statistikat të cilat i ka siguruar IndeksOnline në polici, për dy vitet e fundit, 2021 dhe 2022, tregojnë se numri i tiketave të shqiptuara që janë paraparë pikë negative dhe ndalim i të drejtuarit të mjetit me veprim motorik, janë në rritje.

Derisa policia e trafikut gjatë vitit 2021 ka shqiptuar 17.832 tiketa me pikë negative, në vitin 2022 numri ka shkuar në 26.912 tiketa.

Gjatë vitit 2022, nga 1 pikë u është hequr 3.598 shoferëve, ndërsa 2 pikë, 18.972 shoferëve. Kurse 5 pikë, që sipas ligjit për rregullat e trafikut rrugor janë maksimumi që shqiptohet përnjëherë, u janë hequr 127 shoferëve.

Lexo edhe:  Gara në autostradën “Ibrahim Rugova”, policia gjobit 21 persona

Ligji thotë se nëse shoferi i mjetit, të cilit i është shqiptuar masa mbrojtëse ndalim i të drejtuarit të mjetit me veprim motorik sipas paragrafëve 5., 6. dhe 7. të këtij neni në periudhën e ardhshme prej dy (2) vjetësh pas skadimit të afatit të ndalimit të masës mbrojtëse, i ka bërë nëntë (9) pikë negative të tjera, atij i shqiptohet masa e anulimit të patentës së shoferit për të gjitha kategoritë.

“Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej treqind (300) deri në nëntëqind (900) euro, shoferi i cili brenda zonës urbane lëviz me mjet me shpejtësi mbi pesëdhjetë (50) km/h mbi shpejtësinë e lejuar, të përcaktuar me rregulla të përgjithshme ose me shenjë të trafikut. Përveç gjobës, atij i shqiptohet masa mbrojtëse ndalim i të drejtuarit të mjetit me veprim motorik në kohëzgjatje prej së paku një (1) viti, si dhe i shqiptohen pesë (5) pikë negative”- dënimi më i rëndë sipas ligjit për rregullat e trafikut rrugor

Ligji po ashtu thotë se shoferit të mjetit me veprim motorik të cilit i janë shqiptuar së paku nëntë (9) pikë negative për shkelje të parapara me këtë ligj, prej të cilave pesë (5) pikë negative i janë shqiptuar përnjëherësh, do t’i shqiptohet masa mbrojtëse ndalim i të drejtuarit të mjetit me veprim motorik për të gjitha kategoritë në kohëzgjatje prej së paku dymbëdhjetë (12) muajsh.