I kërkoi para për mos t’ia publikuar fotografitë intime, bie në pranga i dyshuari për shantazhin ndaj 54-vjeçares

Shantazhet që bëhen përmes rrjeteve sociale janë raste të shpeshta në vendin tonë. Zakonisht viktima janë vajzat dhe gratë të cilat në këmbim të mospublikimit të pamjeve që do cenonin integritetin dhe privatësinë e tyre, detyrohen të kryejnë favore të ndryshme ndaj të dyshuarve.

Me një situatë të tillë është përballur së fundi një grua në Prishtinë, e cila para disa ditësh ka kërkuar ndihmën e Policisë.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se 54-vjeçarja ka deklaruar në Polici se është duke u shantazhuar nga një person, i cili në këmbim të mospublikimit të disa fotografive private të saj, ka kërkuar që t’ia japë një shumë të caktuar parash.

Në koordinim me Policinë, viktima ka lënë takim me të dyshuarin për t’ia dhënë paratë dhe si rrjedhojë është arritur që 63-vjeçari të arrestohet dhe të shoqërohet në stacion policor për intervistim.

Me urdhër të prokurorit, burri është dërguar në mbajtje dhe do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Shantazh’.

Lexo edhe:  Mediat maqedonase: Sabedin Sinani nxori armën në aeroport, nuk lejoi të kontrollohej çanta e Vjosa Osmanit