Dhunë në një familje në Llap: Motër e vëlla rrahen me lopatë, 21-vjeçarja dërgohet në mbajtje

Rastet e dhunës në familje sa vijnë e shtohen çdo ditë e më shumë në vendin tonë.

Zakonisht viktima janë gratë e vajzat të cilat përjetojnë dhunë psikike e fizike kryesisht nga familjarët e tyre. Por ka raste kur edhe ato përfshihen në konflikte të tilla dhe për pasojë përfundojnë në Polici, raporton Gazeta Sinjali.

Kështu ka ndodhur edhe të shtunën në një familje në Podujevë, ku një vajzë 21-vjeçare është kapur me vëllain e saj 12-vjeçar.

Sinjali mëson se e gjithë ngjarja ka ndodhur në shtëpinë e tyre, në rrugën ‘Skenderbeu’, ku pas një konflikti verbal mes tyre, i mituri fillimisht ka goditur motrën me lopatë, e pastaj ajo i është kthyer duke e goditur me lopatë po ashtu.

Për pasojë, palët kanë pësuar lëndime trupore, për çka kanë marrë trajtim mjekësor në spital dhe më pas janë shoqëruar në stacion policor.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarës 21-vjeçare t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.

Lexo edhe:  Olta nuk i ndahet Luizit: Paske qenë i djegur për nuse