Dy persona të maskuar i dalin në pritë punëtorit të ‘Roadside’ në Mitrovicë, ia vjedhin ushqimin dhe paratë

Rastet e grabitjeve e të vjedhjeve po vazhdojnë të rriten, ndërkohë që siguria për të lëvizur edhe në hapësirat publike po rrezikohet. Ndër rastet e shpeshta të grabitjeve janë gjësendet me vlerë, si stolitë e arit, telefonat e çantat e krahut që hajnat arrijnë t’i kapin nga qytetarët nëpër rrugë.

E shumë shpesh cak i hajnave janë edhe punonjësit e kompanive të ndryshme, përfshirë ato të gastronomisë, të cilët merren me shpërndarjen e porosive.

Sinjali mëson se kështu e ka pësuar mbrëmë pas mesnate një shpërndarës i ushqimit të restorantit ‘Roadside’ në Mitrovicë.

19-vjeçari që kishte marrë rrugën t’i dërgojë disa porosi në fshatin Gushavc, ka hasur në dy persona të cilët të maskuar dhe nën kërcënimin e thikës i dolën në pritë.

Ata dyshohet se ia vodhën ushqimin që kishte me vete, pazarin ditor dhe dy telefona.

Viktima nuk ka arritur t’i identifikojë të dyshuarit, por me rastin e denoncimit të rastit ka përshkruar se si ndodhi ngjarja.

Sinjali mëson se tashmë edhe Prokurori i Shtetit është vënë në dijeni për raportimin e këtij rasti dhe ka dhënë urdhër që të nisin hetimet për veprën “Grabitje”, derisa veprimet e tjera do të ndërmerren posa të kapen të dyshuarit.

Lexo edhe:  Udhëtari e kërcënoi dhe ia grabiti 100 euro taksistit kosovar