Bie në prangat e Policisë hajni i biçikletave në Gjakovë, zbulohet nga pamjet e kamerave të sigurisë

Siguria publike në Kosovë konsiderohet se po cenohet nga krime të natyrave të ndryshme, sidomos nga vjedhjet, fenomen ky mjaft shqetësues, që po shkakton humbje e pasiguri. Shpesh të dyshuarit arrijnë t’iu ikin prangave të policisë dhe qëndrojnë në arrati.

Kështu ka ndodhur edhe së fundmi në Gjakovë, ku Policia ka arritur ta arrestojë një person, që dyshohet për disa raste të vjedhjeve të biçikletave.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se bëhet fjalë për një 44-vjeçar, i cili është arrestuar pasi ishte denoncuar nga një qytetar për vjedhjen e një biçiklete, në fillim të këtij muaji.

Raportimi i këtij rasti ka aktivizuar Policinë, me ç’rast janë siguruar pamjet e kamerave të sigurisë dhe është lokalizuar vendndodhja e tij dhe i njëjti është kapur dhe shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratën e tij lidhur me rastet për të cilat dyshohet.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh nën dyshimin për veprën penale “Vjedhje e rëndë”.

Ndryshe, kushdo që kryen vjedhje dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre (3) deri në shtatë (7) vjet.

 

Lexo edhe:  Katolikët e Kosovës hapen për besimin e fshehur prej kohësh: Ishim myslimanë ditën, të krishterë natën