Brenda një dite, shumë qytetarë kapen me marihuanë e kokainë nëpër rrugët e Kosovës

Përdorimi i drogës është bërë një dukuri që po vazhdon të rritet dita ditës në Kosovë, pasi pothuajse çdo ditë raportohet për raste kur të rinjtë kapen duke bërë shitblerje ose duke konsumuar drogë, e të shpeshtë janë edhe të miturit.

Sinjali mëson se gjatë ditës së djeshme dhe sot, janë zbuluar disa raste në rajone të ndryshme të Kosovës.

Në orët e para të mëngjesit të djeshëm, një qytetar i Pejës ka njoftuar Policinë se një person i panjohur ka hedhur një qese në parkingun e një lokali. Një njësi policore ka dalë në vendin e ngjarjes dhe pas ekzaminimeve kanë vërejtur se ne qesen në fjalë dyshohet të jetë një sasi e substancës narkotike, mirëpo lloji nuk dihet. Momentalisht nuk ka persona të dyshuar.

Një tjetër rast është zbuluar mbrëmë pas mesnate në rrugën ‘Toni Bler’ në Ferizaj, ku një njësi policore që po patrullonte në atë zonë ka ndalur për kontroll një veturë civile brenda së cilës ndodheshin katër persona. Gjatë kontrollit, zyrtarët policorë kanë gjetur dhe sekuestruar një cigare të mbështjellë me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë. Katër të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor ku janë intervistuar lidhur me rastin. Gjatë verifikimit, shoferi që po drejtonte automjetin ka rezultuar se është kadet në Akademinë Policore në Vushtrri. Ndaj tyre Prokuroria ka nisur hetimet për veprën penale ‘Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.

Në telashe për posedim të paautorizuar të narkotikëve përfundoi dje pasdite edhe një i mitur në Prishtinë. Në afërsi të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Policia i gjeti atij një sasi të substancës së dyshuar narkotike të llojit marihuanë. I mituri është intervistuar në stacion në prani të prindit të tij.

Lexo edhe:  Lajm i mirë| Sot ekzekutohen pagesat për këto kategori

Po ashtu një qytetar në rrugën ‘Berati’ në Fushë Kosovë u kap sot në mesditë me një sasi të substancës së dyshuar narkotike të llojit marihuanë. 29-vjeçari është shoqëruar në stacion policor ku është intervistuar lidhur me rastin dhe me vendim të prokurorit, ai do të hetohet në liri.

Në Fushë Kosovë u zbuluan edhe dy raste të tjera. Njëra në rrugën ‘Tetova’ e tjetra në atë ’17 Shkurti’.

Në ‘Tetova’ u kap edhe një 31-vjeçar që po mbante me vete kokainë, e cila u sekuestrua nga zyrtarët policorë. I dyshuari u shoqërua në stacion policor për intervistim dhe i njëjti do të hetohet për ‘Posedim të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.

Edhe i dyshuari tjetër që u kap në rrugën ’17 Shkurti’ përfundoi për Polici, pasi iu gjet një sasi e substancës së dyshuar narkotike e llojit marihuanë bashkë me një mulli për bluarje.

Droga është sekuestruar dhe i shoqëruar është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.