Sot PO-ja finale për heqjen e vizave  

Parlamenti evropian të martën do mbajë seancën përfundimtare, mbi çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.

E marta sipas analistëve, nënkupton fundin e një epoke mbylljeje për kosovarët.

“Sot është faktikisht faza e fundit e vendimmarrjes, dhe duke qenë se deri më tani ka pasur disa faza nesër pritet të jetë një formalizim ose validim i gjithë ati procesi që ka zgjatë për vite të tëra”, tha Lirim Krasniqi nga organizata “GERMIN”.

Ani pse Kosova shumë herë dha myzhde për liberalizim, pas seancës së nesërme thuhet se nuk do ketë kthim mbrapa.

“Nga momenti i votimit nesër nuk ka më kthim mbrapa sepse periudha e mëtejme është vetëm formalitete siç është nënshkrimi i marrëveshjes, publikimi në gazetën zyrtare, d.m.th. nuk ka vendimmarrje pas ditës së nesërme”, tha Krasniqi.

E qytetarët mezi e presin një vendim të tillë, teksa thonë se lëvizjen pa viza e kanë merituar qysh moti.

“Është bo tepër ne jemi të diskriminuar në krahasim me krejt popujt, paramendoni ata që kanë bo krime janë shpërblyer me liberalizim ndërsa ne si viktima jo”, tha Xhafer Berisha, qytetar.

“Mendoj që Kosova moti e ka meritu, kushtet i ka plotësu moti, por tash puna e politikes nuk e di”.

Por ka edhe nga ata që e shohin pak më ndryshe këtë proces.

“Duhet me kuptu se një pjesë e madhe po mendon që veç ka me shku me udhëtu në të gjitha vendet e botës, por liberalizimi mundet me qenë 180 ditë ose 3 muaj edhe ato viza munden me qenë që mos me pas të drejtë me punu”, tha Arian Mustafa, qytetar.

Në rast se parlamenti evropian i jep dritën jeshile liberalizimit, qytetarët e Kosovës pritet që të udhëtojnë lirshëm nga janari i 2024-tës.

Lexo edhe:  Pas 32 vjetësh në mërgim, familja kthehet të jetojë dhe investojë në Kosovë