Sulmohet gazetari i RTK-së afër shtëpisë ku ndodhi rasti tragjik në Pejë

Gazetarët jo rrallëherë përballen me pengesa, kanosje e sulme gjatë kryerjes së detyrave të tyre.

Të tilla raste përveç që ua vështirësojnë punën, ua kërcënojnë edhe jetën. Rasti i fundit ishte ai i Valon Sylës, që nxiti reagime të shumta në Kosovë. E pa kaluar disa ditë nga ky incident, një gazetar i televizionit publik është përballur me një sulm, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se bëhet fjalë për gazetarin Islam Haxhiu.

Sinjali mëson se Islam Haxhiu është sulmuar pasditen e djeshme, në rrugën “Mbreti Zog” në Pejë, ku kishte shkuar për të marrë informacione lidhur me rastin tragjik të vrasjes së rëndë, që tronditi vendin.

Sipas informacioneve të para, gazetari fillimisht është përballur me sulm verbal nga i dyshuari, i cili e ka ofenduar dhe e ka sharë, e më pas ia ka marrë me zor telefonin. Për të mos mbaruar me kaq, ai e ka goditur viktimën me grusht.

Rasti është denoncuar menjëherë në Polici nga gazetari Haxhiu, i cili ka dhënë deklaratën e tij lidhur me atë që ka ndodhur.

Pas përfundimit të procedurave policore, me urdhër të Prokurorit të Shtetit rasti është iniciuar si “Sulm ndaj personit zyrtarë” dhe “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”.

Lexo edhe:  Sot një nga aktoret më të bukura, por ja si dukej dikur Olta Gixhari