Vdes ish-futbollisti i mirënjohur, Selatin Vokrri
Ka ndërruar jetë Selatin Vokrri, i cili ka dhënë një kontribut të madh në zhvillimin e futbollit në Kosovë.
Vokrri ka qenë futbollist i dëshmuar në vitet 1960 dhe 1970, duke luajtur për Llapin e Podujevës, Vëllaznimin e Gjakovës në Ligën e Dytë Federative të ish-Jugosllavisë e shumë të tjera gjatë kohës së tij.
Pas përfundimit të karrierës si futbollist aktiv, ai e kishte vazhduar karrierën si trajner i Besianës dhe Llapit.
Në vitet e 90-ta ishte trajner në rezistencën kundër okupatorit serb.
Po ashtu, Vokrri kishte punuar si mësimdhënës, duke kontribuuar në edukimin e brezave të ri.
Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, i ka shprehur ngushëllimet e sinqerta familjes, miqve dhe gjithë komunitetit sportiv.
“I pikëlluar për lajmin e ndarjes nga jeta të ish-futbollistit dhe ish-trajnerit llapjan Selatin Vokrri. Ai ka dhënë kontribut të shquar në fushën e blertë si futbollist dhe trajner sportiv”, ka shkruar Bulliqi në rrjetin social Facebook.
Ai ka thënë se për kontributin e tij në sport dhe në arsim do të kujtohet përherë e do të nderohet gjithmonë, por “do ta kujtojmë edhe për energjinë pozitive që posedonte dhe e humanizmin që tregonte me secilin”.
Po ashtu, ngushëllime për vdekjen e tij kanë shprehur edhe deputetët nga Podujeva, Agim Veliu e Besnik Tahiri.
Më 3 maj të vitit 2022, presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, me rastin e 6-vjetorit të anëtarësimit të Kosovës në UEFA, pati vizituar në shtëpinë e tij, Selatin Vokrri.
Gjatë kësaj vizite, Ademi i shprehu mirënjohjen Vokrrit për kontributin e tij gjatë periudhave të ndryshme në futbollin e Kosovës, qysh nga koha e tij si futbollist, e deri në periudhën e zhvillimit të futbollit të pavarur, e që në fund rezultoi me realizimin e objektivit për anëtarësim në UEFA.