20-vjeçari përdorues i drogës ushtron dhunë ndaj babait, tenton ta godas me bisht sëpate
Dhuna në familje vazhdon të mbetet një nga damkat më të mëdha të shoqërisë kosovare.
Çdo ditë në Polici raportohen raste ku gratë dhunohen në forma të ndryshme nga personat të cilët i kanë zgjedhur të ndajnë jetën me ta, por edhe me anëtarët e tjerë të familjes. Në shumë raste, viktima janë edhe prindërit, të cilat përjetojnë dhunë nga fëmijët e tyre, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur të dielën pasdite në një familje në rrugën “Xhevë Lladrovci” në Prizren, ku një 54-vjeçar ka kërkuar ndihmën e Policisë për shkak të telasheve që ia ka shkaktuar i biri.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se bëhet fjalë për një 20-vjeçar, i cili dyshohet se ka tentuar ta godas babain me bisht të sëpatës, pasi fillimisht i ka kërkuar para dhe ka ushtruar dhunë psikike ndaj tij.
Sinjali mëson se kjo nuk është hera e parë që viktima po përjeton dhunë nga djali, prandaj ka vendosur që ta denoncojë në Polici, para se të ndodhë diçka më e keqe.
Si rezultat i denoncimit, Policia e ka arrestuar të dyshuarin, të cilit i gjetën edhe drogë dhe më pas është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku ka dhënë deklaratën e tij për atë që ka ndodhur.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e tij për 48 orë dhe inicimin e rasteve për “Dhunë në familje” dhe “Posedim i paautorizuar i narkotikeve, substancave psikotrope ose analoge”.