Lirimi i Naser Pajazitajt ngjall reagime të shumta

Naser Pajazitaj, i akuzuari për vrasjen e Donjeta Pajazitajt është liruar  gjatë ditës së djeshme me vendim të Gjykatës Supereme.

Vendimi është marrë nga Kolegji Penal i Gjykatës Supreme.

Lirimi i tij nga aktakuza ngjalli reagime të shumta. Familja reaguan duke thënë se më nuk kanë besim në drejtësi.

“Nga sot e tutje ne nuk kemi besim as ne Polici, Gjykatë, e as ne Prokuror, kur qe 7 vite nuk qenë ne gjendje me e zbulu te vërteten.

Këta me shumë janë të interesuar të marrin një page nga shteti sesa te vënë drejtësi ne vendin e tyre”, shkroi  vëllai i Donjetës, Shkëlqim Pajazitaj në Facebook.

Edhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se është i papranueshëm vendimi i Gjykatës Supreme për lirimin e të akuzuarit për vrasjen e Donjeta Pajazitajt.

“Po i komentoj vendimet e gjykatës supreme sepse për mua është e papranueshme që një person i cili dënohet me burgim të përjetshëm, aq lehtësisht të lirohet nga akuza”, ka thënë Haxhiu, në fjalimin e mbajtur në Kuvend për punën dyvjeçare të Qeverisë.

Duke komentuar vendimin e Supremes, Haxhiu ka thënë se reformat e nisura nga Qeveria janë të rëndësishme dhe se qytetarët kanë më së shumti nevojë.

“Më lejoni edhe një herë të shpreh shqetësimin tim për një njoftim që sapo u bë publik nga Gjykata Supreme. Personi i dënuar nga shkalla e parë, pra me dënim të përjetshëm, Naser Pajazitaj dhe nga shkalla e dytë me 35 vite dënim, është liruar nga akuza nga Gjykata Supreme”, ka thënë ajo.

Reagoi edhe Grupi i Grave Deputete të Republikës së Kosovës.

Ndër të tjera ato e vlerësuan të papranueshme se si vrasja e një gruaje vlen për gjykatat tona aq pak sa mund të kalojë pa u ndëshkuar askush, ose me një dënim minor.

Lexo edhe:  E rëndë: Gjendet pa shenja jete një person në mes të rrugës në Prishtinë

“Për ne si Grup i Grave Deputete është e papranueshme që jeta e një gruaje vlen për Gjykatat tona aq pak sa mund të kalojë pa u ndëshkuar askush. Ose me një dënim minor.”, kanë shkruar Grupi i Grave Deputete, përcjell Reporteri.

Tutje u shprehën se institucionet e rendit dështuan në ofrimin e sigurisë ndaj grave duke thënë se ky është inkurajim për dhunuesit.

“Institucionet e sigurisë në shumë raste kanë dështuar t’u ofrojnë siguri grave. Pastaj humbet kohë në kapjen e kryersve të vrasjeve. Dhe pas kapjes është e pakuptueshme të lihen të lirë. Ky është inkurajim për dhunuesit. Duke e respektuar punën e gjyqësorit si pushtet i ndarë dhe i pavarur, duam të sigurohemi që të jetë në anën e drejtë dhe për të drejtën. Për këtë rast dhe të gjitha rastet.”, deklaroi Grupi i Grave Deputete.

Pajzitaj, ishte dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Donjeta Pajazitajt, në nëntor të 2015-ës.

Më pas Apeli e kishte ndryshuar vendimin, duke e ulur dënimin e tij në 35 vjet.