Dhunë në një familje në Fushë Kosovë, gruaja e denoncon burrin në Polici
Mungesa e hetimeve që çojnë në zgjidhjen e rasteve të dhunës, dënimet e ulëta nga Gjykatat, si dhe mosreagimi i duhur nga ana e Policisë, shpesh janë vlerësuar si disa nga faktorët që po ndikojnë në rritjen e numrit të rasteve të dhunës në familje. Gratë, si viktimat më të shpeshta frikësohen t’i denoncojnë bashkëshortët, çka i shtynë ata që ta përsërisin veprën e njëjtë. Shumë herë ka pasur raste të tmerrshme të dhunës në familje, që kanë përfunduar edhe tragjikisht.
Në Polici kanë përfunduar mëngjesin e sotëm edhe një çift nga Fushë Kosova, pasi një burrë dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.
Sinjali mëson se 27-vjeçarja ka deklaruar se ka pasur dhunë fizike dhe psikike nga i shoqi, gjë që ka bërë që ky i fundit të bie në pranga.
29-vjeçari është intervistuar në stacion policor nga hetuesit dhe më pas me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.