Kërkohet paraburgim për serbin që dyshohet se dogji tri vetura në Veri

Prokuroria Speciale ka bërë kërkesën në Gjykatën Themelore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Milovan Bozovic, të dyshuar për djegien e tri veturave në Zubin Potok.

Lajmin për Insajderin ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës, Mirlinda Gashi.

“Konfirmojmë se kërkesa është pranuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës lidhur me të pandehurin M.B, seanca do të mbahet gjatë ditës së sotme”, tha ajo.

Seanca tashmë veç ka filluar të mbahet.

Milovan Bozovic u arrestua të shtunën, pasi dyshohet se të enjten i ka djegur tri vetura në Zubin Potok, të cilat ishin me targa RKS. Mirëpo ai është i dyshuar edhe për sulmin me armë ndaj Policisë së Kosovës ku u plagosën dy zyrtarë të saj.

Arrestimi i të dyshuarit mashkull kosovar i nacionalitetit serb (M. B. 1987), është kryer sot rreth orës 17:00, pas hetimeve intenzive të kryera nga njësitet relevante policore. Personi i dyshuar, tanimë i arrestuar dyshohej për përfshirje në rastin e sulmit me armë zjarri ndaj njesisë së Policisë së Kosovës, ku si pasojë dy zyrtarë policor kishin pësuar plagë nga arma e zjarrit… I njejti, gjithashtu është i dyshuar edhe për djegien e veturave në rajonin e Zubin Potokut, të cilat ishin regjistruar në targa të Republikës së Kosovës. Të gjitha veprimet e mëtejme, do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, thuhej në njoftimin e PK-së.

Ndërkohë Lista Serbe ka paralajmëruar kryengritje për arrestimin e të njëjtit.

Lexo edhe:  Vetura inteligjente e policisë identifikon 917 kundërvajtës për 5 javë në trafik në një qytet