Kanoset bashkëpronarja e ‘First Channel’: I dyshuari tentoi të futet me zor në objekt, e denoncon në Polici
Për herë të disatën, bashkëpronarja e televizionit ‘First Channel’, Antigona Kotorri ka qenë cak i disa personave, të cilët për motive akoma të panjohura kanë tentuar ta frikësojnë përmes kanosjes dhe incidenteve të tjera, siç ka qenë djegia e veturës së saj. Rasti i fundit ka ndodhur pikërisht mbrëmë, kur ka nisur edicioni i dytë i emisionit të quajtur ‘It’s my home’.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se bëhet fjalë për V.M., (emër i njohur për redaksinë), i cili po dyshohet se ka tentuar të futet me forcë brenda objektit, por nuk kishte arritur. Kjo ka bërë që Kotorri ta raportojë rastin, para se të tensionohej situata.
Por i dyshuari, i cili herën e parë nuk arriti qëllimin e tij, pas disa orësh, ka shkuar sërish deri te objekti i televizionit dhe ka tentuar të hyjë por nuk ia doli. Edhe këtë herë ai u ndalua nga sigurimi dhe menjëherë u njoftua Policia.
Përballë kësaj situate, Kotorri ka kërkuar ndihmë nga Policia dhe si rezultat Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit si ‘Kanosje’ dhe ndërmarrjen e veprimeve hetimore brenda afatit ligjor.
Kujtojmë se edhe në muajin janar, Kotorrit i ishte djegur tërësisht vetura e saj, që e kishte parkuar në lagjen Mati 1 në Prishtinë.