Nga kjo komunë janë çifti që vdiqën në aksidentin në Podujevë

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur mëngjesin e sotëm në rrugën Podujevë-Prishtinë, ku si pasojë të vdekur kanë mbetur një 36 vjeçar dhe një 35 vjeçare kurse dy fëmijë janë lënduar.

Çifti është nga komuna e Malishevës përkatësisht nga fshati Jançisht, të njëjtit ishin nisur për pushime në Kosovë nga Sllovenia.

Kështu ka konfirmuar nënkryetari i komunës se Malishevës, Vesel Krasniqi.

Rastin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti.

Ahmeti ka bërë me dije se nga ky aksident kanë mbetur të lënduar edhe dy fëmijë.

“Rreth orës 04:40 kemi pranuar informatën se në rrugën Prishtinë – Podujevë, ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident kanë qenë të përfshira, një veturë (me targa të huaja) e cila ka qenë në lëvizje dhe një autobus. Si pasojë e aksidentit lëndime të rënda trupore kanë pësuar katër persona, dy prej tyre nuk kanë arritë të përballojnë plagët dhe të njëjtit kanë ndërruar jetë”, ka deklaruar Ahmeti.

Fëmijët e lënduar janë dërguar për tretman mjekësor, derisa trupat e viktimave janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

“Vdekjen e tyre e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje. Trupat e viktimave :Sh.S, mashkull, 36 vjeç dhe M.S, femër, 35 vjeç janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërsa dy personat tjerë të lënduar (fëmijë) janë dërguar për tretman mjekësor”, ka thënë Ahmeti.

Lexo edhe:  Rrahje në Pejë, miqtë e hudhin dhëndrrin në lumin Bistrica