Zbulohet identiteti i personit që dyshohet se sulmoi seksualisht 6-vjeçaren në Prishtinë
02 Press sot raportoi për një rast të trishtë që dyshohet se ka ndodhur dje pasdite në Prishtinë, ku një nënë ka denoncuar në Polici shitësin e marketit të lagjes ku jeton, me pretendimet se ai ka sulmuar seksualisht vajzën e saj 6-vjeçare. Policia ka arrestuar 51-vjeçarin e dyshuar, i cili me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Sinjali mëson nga burimet e veta se personi që u arrestua nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Sulm seksual’, është Hamit Mramori, shitës në marketin ‘Mita’ në rrugën ‘Qamil Bala’ në kryeqytet.
Ndërkohë janë publikuar edhe pamjet e momentit kur qytetarë që kanë parë ngjarjen janë përballur me Mramorin, të cilët thonë se kanë parë të dyshuarin teksa ka sulmuar seksualisht vajzën e mitur.
Po ashtu e pranishme është edhe nëna e 6-vjeçares, e cila deklaron se vajzën e ka lënë ‘në besë’ të shkojë vetëm në market të blejë akullore dhe pije për vete, por nuk e ka ditur se mund t’i ndodhte diçka e tillë.
Banorët e lagjes dëgjohen teksa kërkojnë nga Mramori që ta lëshojë ‘mahallën’ deri më datën 1 të muajit gusht.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.