Ferizajasi e bën llom bashkëshorten e tij, ‘arsyetohet’ në Polici se 31-vjeçarja deshi të kërcejë nga dritarja

Mungesa e hetimeve që çojnë në zgjidhjen e rasteve të dhunës, dënimet e ulëta nga Gjykatat, si dhe mosreagimi i duhur nga ana e Policisë, shpesh janë vlerësuar si disa nga faktorët që po ndikojnë në rritjen e numrit të rasteve të dhunës në familje.

Gratë, si viktimat më të shpeshta frikësohen t’i denoncojnë bashkëshortët, çka i shtynë ata që ta përsërisin veprën e njëjtë, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë ka ndodhur së fundi në një familje në rrugën ‘Emin Duraku’ në Ferizaj, ku një burrë dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.

Sinjali mëson se 31-vjeçarja ka denoncuar rastin në Polici, ku gjatë deklaratës së saj ka bërë me dije se pas një konflikti verbal me të shoqin, ai ka shpërthyer në dhunë fizike duke e goditur me shuplaka e duke e kapur për fyti.Bazuar në dëshminë e saj, çifti edhe më parë ka pasur probleme të cilat kanë përfunduar në të njëjtën mënyrë, mirëpo që nuk ka kërkuar ndihmën e organeve të rendit.

Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor, ku gjatë intervistimit nga hetuesit ka pranuar që ka goditur bashkëshorten e tij, duke thënë se këtë e ka bërë për shkak që 31-vjeçarja ka dashur të kërcejë nga dritarja.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që 38-vjeçarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.

Lexo edhe:  182 kg drogë në kufi me Serbinë, këta janë dy të rinjtë nga Gjilani që u kapën