42-vjeçari sulmon dhe kërcënon me armë një person në Prishtinë, dërgohet në mbajtje
Mosmarrëveshjet mes qytetarëve shpesh herë përcillen me ofendime e kërcënime ndaj njëri-tjetrit. Madje nuk janë të rralla rastet kur ato shpërthejnë në dhunë, duke u përleshur fizikisht mes vete.
Një rast i tillë ka ndodhur sot në Prishtinë, ku një person dyshohet se ka sulmuar fizikisht një 25-vjeçar.
Sinjali mëson se e gjithë ngjarja ka ndodhur në afërsi të lokalit ‘Molly’ në rrugën ‘Njazi Alishani’, ku sipas dëshmisë së viktimës, posa ka dalë nga ndërtesa ku ai banon, i dyshuari e ka sulmuar fizikisht duke e goditur dhe si pasojë ka marrë lëndime trupore.
Për t’i ikur sulmit, 25-vjeçari ka tentuar të fshehet në lokalin në fjalë, mirëpo i dyshuari e kishte ndjekur nga pas dhe i njëjti e kishte kërcënuar duke ia ekspozuar armën e zjarrit.
Viktima ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital, ndërsa 42-vjeçari i dyshuar është arrestuar nga Policia dhe të njëjtit i është sekuestruar arma e zjarrit.
Pas përfundimit të intervistimit në stacion policor, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e dy veprave penale ‘Lëndim i lehtë trupor’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.