Ky është personi i arrestuar për vjedhjen e 40 mijë euro ‘cash’ në shtëpinë e mërgimtarit Viqa në Ferizaj

Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri, sidomos kur shtëpitë mbesin pa përkujdesje.

Rastet më të shpeshta ndodhin në shtëpitë e mërgimtarëve, që janë cak i hajnave pothuajse çdo ditë. Sinjali ka raportuar para disa ditësh për një rast të tillë që ka ndodhur në shtëpinë e familjes Viqa në Ferizaj, ku hajnat kanë vjedhur 40 mijë euro e stoli arit.

Vjedhja ka ndodhur më 18 mars dhe hetimet kanë nisur pas denoncimit të rastit, që rezultuan me identifikimin e një personi që dyshohet se në bashkëkryerje me persona të tjerë kanë kryer këtë vepër.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije për Sinjalin se bëhet fjalë për Skënder Ibishin i cili ka rënë në prangat e Policisë, nën dyshimet se është i përfshirë në këtë rast. Ai po dyshohet se bashkë me disa të dyshuar të tjerë kanë vjedhur hiç më pak se 40 mijë euro cash, dhe stoli ari në vlerë të 25 mijë eurove.

Përveç parave, Sinjali mëson se në shtëpinë e mërgimtarit, hajnat kanë “avulluar” edhe dy armë zjarri.

Pas arrestimit të njërit prej të dyshuarve, i njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku ka dhënë deklaratën e tij lidhur me rastin.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj tij është nxjerrë aktvendim për ndalim policor dhe brenda afatit ligjor do të ndërmerren veprimet e tjera ligjore.

Lexo edhe:  Sulmohet ambasada izraelite në Serbi, vritet 1 person