Goditi qëllimisht me veturë 31-vjeçarin, ky është i dyshuari për tentim vrasjen në Komoran

Mosmarrëveshjet për motive të ndryshme, e që shpeshherë dalin të jenë banale bëhen mollë sherri e kërcënimeve e përleshjeve mes të rinjve në vendin tonë. Për pasojë, konfliktet jo rrallëherë eskalojnë, për çka nevojitet ndërhyja e Policisë. Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë në Komoran të Drenasit.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se këtë herë ka të bëjë me një rast të tentim vrasjes, që ndodhi pasditen e së dielës, ku një person dyshohet se qëllimisht ka goditur me veturë një 31-vjeçar, për shkak të problemeve të mëhershme që kanë pasur me njëri-tjetrin.

Sinjali mëson se bëhet fjalë për Rifat Plakajn, 44-vjeçar, i cili tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor dhe ndaj tij kanë nisur hetimet me urdhër të Prokurorit të Shtetit

Sipas informacioneve të para, Plakaj po dyshohet se në afër të një lokali, me qëllim për t’i qëruar hesapet, e ka goditur viktimën me veturën e tij, duke i shkaktuar lëndime trupore. Për pasojë, i riu u dërgua në Emergjencën në Komoran, e më pas u transferua në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Në anën tjetër, një njësi policore ka arritur ta arrestojë të dyshuarin, i cili është shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratën e tij për veprën me të cilën ngarkohet.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori ka marrë vendim për inicimin e rastit si “Vrasje në tentativë” dhe ndërmarrjen e veprimeve të tjera brenda afatit ligjor.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

 

Lexo edhe:  Aksident mes dy veturave e një traktori në Klinë, lëndohen tre persona