“Policët e dinë se ku është ari” – i akuzuari për vjedhje i përmend policët në seancë para gjyqtarit e prokurorit, këta nuk reagojnë
Ka kaluar një dekadë prej kur 5 persona të maskuar hynë me forcë dhe vjedhin mbi 5 kilogram ari në artarinë e Hilmi Jupollit në Podujevë. 4 prej të dyshuarve janë liruar ndërsa për njërin procesin vazhdon të zvarritet.
Për InDoks ka folur vet pronari Jupolli e mbrojtja e tij Ramë Dreshaj dyshja e akuzojnë gjyqtarin, Minir Hoti si të anshëm.
Viktima akuzon publikisht se të dyshuarit që ia vodhën arin janë të lidhur familjarisht me policë me pozita në Podujevë. Krejt këto e bëjnë avokatin me përvojë të gjatë, Ramë Dreshaj që të mos mbajë shpresë se për këtë krim do të ketë drejtësi.
“Është e vërtetë, unë e kam dëgju me vesh të mi, para gjyqtarit e ka thënë këtë, edhe para prokurorit. Ka thënë që arin e dinë policët ku është”, konfirmoi avokati Dreshaj për InDoks të Gazetës Insajderi fjalët që i akuzuari i vetëm i tha para trupit gjykues në Seancë.
Por kjo deklaratë nuk i bëri përshtypjet as gjykatësit e as prokurorit, seanca vazhdoi sikur s’ndodhi asgjë, tha Jupolli për Insajderin.
“Gjyqtari në atë moment është deshtë jo ta ndërprejë procedurën me fut procesverbal me u marrë aktvendim me u ndërpre procedura, nuk është puna e gjyqtarit – prape po them është puna e prokurorit se gjyqtari nuk e merr rolin e prokurorit…”.
“Prokurori nuk ka lëviz, ka qenë prezent nuk ka lëviz nuk ka thënë asgjë, a në realitet sipas dispozitave ligjore të Kodit të procedurës penale kur prokurori e dëgjon me vesh të vet, në mënyrë publike e thotë në seancë gjyqësore, pala e akuzuar thotë për ari e dinë policët e dinë ku është ai është dashtë automatikisht me marrë palën, me ndërpre procedurën dhe palën me marrë në pyetje *- kallxo cilët janë ata policë dhe më fillu hetimin bazë të atij deklarimi…”, tha avokati Dreshaj.